Qeveria vendosi sot të zgjatë vlefshmërinë e kartave të identitetit të skaduara dhe pasaportave biometrike.
Ministrit i Brendshëm Ervin Hoxha tha pas mbledhjes së qeverisë se përfitojnë 500 mijë shtetas shqiptarë. Afati është shtyrë deri në 31 maj 2025.
“Kjo situatë do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit.
Në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese.
Me miratimin e këtij akti të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ-së, duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha ministri Hoxha.
Pyetje: PD ka një kërkesë për një ndryshim në Kod Zgjedhor që shqiptarët që jetojnë jashtë e nuk kanë dokument identifikimi shqiptare, por të huaja, të regjistrohen e të votojnë. Për DPGJC, a është e mundur të bëhet kjo si procedurë?
Ministri Hoxha: Kjo nuk është e mundur të bëhet pasi ligji nuk e parashikon. Të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë kartë identiteti dhe pasaporta biometrike të pavlefshme, pas miratimit të aktit që ne bëmë sot, do të kenë mundësi të regjistrohen në platformën e KQZ sipas udhëzimeve.
Pyetje: Të shtunën PD ka thirrur protestën e radhës në orën 17:00, a i keni marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste, duke u nisur edhe nga pretendimet e opozitës, që në protestat e fundit, që sipas tyre kanë reaguar fillimisht punonjësit e policisë duke provokuar demokratët në protestë, apo keni ndonjë sugjerim për ta, edhe për sloganin, duke iu referuar se pak javë më parë, ju e keni bërë, për partitë e reja në protestë, duke iu referuar sloganeve, që ju keni sugjeruar, që “gënjeshtra, marshim për deputet” apo “marshojmë, gënjejmë”?
Ministri Hoxha: Janë dy ndodhi të ndryshme. Gënjeshtra dhe marshimet për të ushtruar të drejtën dhe për partitë e vogla nga njëra anë, dhe protesta e datës 8 shkurt, ku është detyrim i Policisë së Shtetit për të marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste duke respektuar të drejtën e protestimit dhe të drejtën e tubimit për çdo shtetas shqiptar. a.b











