Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka publikuar të dhënat mbi procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë për zgjedhjet e 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, Celibashi bëri të ditur se në total 116,190 shqiptarë të diasporës kanë paraqitur kërkesë për t’u regjistruar si votues. Nga këto, 86,570 qytetarë janë regjistruar zyrtarisht në listën e votuesve, ndërsa 25,401 persona janë refuzuar të regjistrohen nga KQZ.
Celibashi sqaroi gjithashtu se numri total i kërkesave të dorëzuara ka qenë 140,796, duke përfshirë edhe raste kur një zgjedhës ka aplikuar më shumë se një herë. Nga këto, 49,959 kërkesa janë refuzuar, pasi disa zgjedhësve iu është rrëzuar aplikimi në më shumë se një rast.
Ndërkohë, kreu i KQZ-së kërkoi nga Kuvendi miratimin sa më të shpejtë të buxhetit për partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje. “Ky fond duhet të vihet në dispozicion shumë ditë para nisjes së fushatës zgjedhore”, theksoi Celibashi. m.k












