Policia e Durrësit ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të autoriteteve italiane. Ai është Erjon Meshi alias Arjon Mema.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe bashkëpunimit me zyrat homologe të Interpol-it, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Sektori i Qarkullimit Rrugor lokalizuan dhe arrestuan provizorisht 32-vjeçarin Erjon Meshi alias Arjon Mena, në qytetin e Durrësit.
“Ky shtetas është pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Gjykata e Trentos në Itali ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzat “Mbajtje e paligjshme, shitje, prodhim, shpërndarje dhe trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup kriminal për trafik droge”, njoftoi policia e Durrësit.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për procedurat e ekstradimit të tij në Itali. a.b











