Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare, njoftoi Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Kisha informoi se Kryepeshkopi ndërroi jetë në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku po trajtohej pas një përkeqësimi të shëndetit.
“Kryepeshkopi u nda nga jeta sot, më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin ‘Evangelismos’ të Athinës, si pasojë e mosfunksionimit të disa organeve. Më herët, ai ishte trajtuar për disa ditë në një spital privat në Tiranë. Ftojmë besimtarët ortodoksë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.
Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, ka qenë figura që rindërtoi dhe rigjallëroi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke e ngritur nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me përkushtimin dhe vizionin e tij, ai rindërtoi jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore e bamirëse dhe formoi një brez të ri klerikësh. Shërbesa e tij sakrifikuese për më shumë se 33 vite do të mbetet një trashëgimi e pashlyeshme. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale.
Anastas Janullatos shërbeu si Kryepeshkop Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. U nderua me 27 medalje e çmime dhe në vitin 2000 u propozua për Çmimin Nobel. a.b












