I ftuar në SYRI TV me Armela Ferkon, drejtuesi i Departamentit ‘Brain Gain’ në PD, Andi Mustafaj, komentoi mbi takimin e zhvilluar sot me liderin e opozitës, Sali Berisha, në selinë e PD-së, me temë “Ne mundim, ata thyhen”. Gjatë intervistës, Mustafaj shpjegoi objektivat e departamentit dhe rëndësinë e projektit anti-propagandë që ai po promovon.
Sipas tij, “departamenti ‘Brain Gain’ synon që t’u japë demokratëve, anëtarëve të opozitës, dashamirësve dhe qytetarëve të thjeshtë mjetet për të kundërshtuar dhe kuptuar forcën e propagandës që ushtrohet ndaj tyre”. Mustafaj theksoi se një nga arritjet e departamentit është krijimi i një manuali anti-propagandë, që ai e përshkroi si një udhëzues për të adresuar çështje të rëndësishme dhe për të nxitur ndërgjegjësimin e qytetarëve.
“Ky është një manual anti-propagande. Për çdo temë janë 10 tema, për të cilat qytetarët shqiptarë ndoshta as nuk e kanë vënë re, sepse kanë depërtuar kaq thellë në mendjet e tyre saqë nuk e vendosin më në diskutim. Si me thënë ‘toka është e rrumbullakët’, shto dhe ‘mos e ktheni politike’. Për ta, është e barabartë. Pra, propaganda e qeverisë në tema të caktuara ka bërë që qytetarët të mos pyesin më për asgjë dhe ta marrin si të mirëqenë,” u shpreh ai.
Mustafaj shtoi se objektivi kryesor i ‘Brain Gain’ është pasurimi i veprimtarisë së PD-së dhe përballja më efikase me propagandën qeveritare. “Ne duhet që ta luftojmë këtë gjë. Ne si departament ‘Brain Gain’ kemi pasur si synim që të pasurojmë veprimtarinë e PD-së. Edhe në mënyrë absolute, pesha e fjalëve, beteja e ideve dhe forca e propagandës janë tema që nuk janë luftuar si duhet. Nuk janë luftuar sepse kapitali politik është i vështirë për t’u arritur, dhe kjo është në nderin e të gjithë anëtarëve që pranojnë ta bëjnë një gjë të tillë,” përfundoi Mustafaj. a.b











