Është ndarë nga jeta Arben Tafaj, kreu i shoqatës Tirana, një ndër emrat më të spikatur të komunitetit tiranas, anëtar i këshillit bashkiak.
Ai humbi jetën aksidentalisht gjatë natës duke rënë nga një lartësi siç njofton policia.
”Rreth orës 00:40, në Rrugën e Dajtit, dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, aksidentalisht është rrëzuar nga një lartësi rreth 10 metra, në banesën e tij, shtetasi Arben Tafaj,63 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra ai ka ndërruar jetë në spitalë”, njofton policia e Tiranës.
Tafaj me profesion ekonomist (është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në vitin 1986), ka qenë kryetar i njësisë bashkiake numër 8 në tre mandate.
Ai drejtonte shoqatën “Tirana”, një grupim civil që për gjithë këto vite ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj qytetare të qytetit, të cilën e ka shikuar dhe si një instrument për të komunikuar me shoqërinë dhe me organizma të rëndësishme homologe komunitare. Pikërisht në krye të shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, krijon profilin e një drejtuesi që komunikon, hedh ide, por dhe mbron me forcë vlerat e njerëzve dhe të qytetit. a.b












