Vendoset një Post Kufitare e Lëvizshme në brigjet shqiptare, një lehtësi për turistët që mbërrijnë me mjetet e tyre lundruese. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa ishte në Durrës në ceremoninë e dorëzimit të 5 varkave të reja të patrullimit dhe 2 pajisjeve të survejimit me teknologji të lartë për ruajtjen e kufirit, të financuara nga Bashkimi Europian përmes programit IPA.
“Një lajm i mirë për të gjithë lundërtarët dhe përdoruesit e detit që duan të vijnë në Shqipëri dhe që duan të dalin nga Shqipëria për të shijuar brigjet e Mesdheut, ne do të vendosim në brigjet shqitpare një Post Kufitare Lëvizëse në mënyrë që çdo mjet lundrues që do të hyjë në Shqipëri nuk ka nevojë të shkojë në një nga 3 portet kufitare që ka Shqipëria, por mjafton të lajmërojë në pikën ku është dhe do të vijë vetë mjeti i kufirit për të kryer të githë procedurat e hyrjes në territorin e Shqipërisë”, u shpreh ministri Çuçi.
Për ta ilustruar konkretisht lehtësinë që krijohet për turistët, Ministri i Brendshëm solli në vëmendje rastin e atyre që nga ishulli grek Othonoi do duan të vizitojnë Dhërmiun qoftë duke qenë se distanca fizike është shumë e shkurtër, por deri më tani kishte vështirësi sepse do duhej të regjistroje hyrjen në Republikën e Shqipërisë në Sarandë.
“Imagjinoni përballë Drimadhes, një plazh në Dhërmi shumë i populluar, ndodhet ishulli i Othonit dhe një njeri që do të vijë nga Othonoi edhe për të shijuar një drekë në Drimadhes ku largësia me një mjet motorik normal nuk është më shumë se 30-40 minuta, detyrohet të shkojë në Sarandë, të merrte vulën e hyrjes në Shqipëri dhe pastaj të vinte në Drimadhes. Të hante drekën dhe pastaj të shkonte sërish në Sarandë që të kthehej në Othonoi”, deklaroi ministri Çuçi.
Lidhur me shtimin e 5 mjeteve të reja në flotën e Policisë Kufitare dhe riparimin e plotë të 7 të tjerave, si dhe instalimi i 2 radarëve për mbikëqyrjen e kufirit blu, ministri theksoi se ky është një hap më tej në sigurinë jo vetëm të kufijve të Shqipërisë, por në sigurinë e kufijve të Europës.
“Ne e ndryshuam totalisht strategjinë tonë për ruajtjen e kufijve duke i hapur kufijtë, por duke shtuar dhe duke siguruar sa më shumë ruajtjen e tyre. Kemi 7 mjete të cilat janë riparuar apo rinovuar me projektin e BE dhe 5 mjete të reja të sapoardhura të pajisuara me teknologjinë e fundit detare. Padyshim kjo do të krijojë një klimë që çdo qytetar i huaj që vjen në Shqipëri të ndihet i lirë, por i sigurt”, deklaroi Ministri i Brendshëm. a.b











