Ka ndërruar jetë politologu i njohur, gazetari dhe analisti i njohur i Kosovës Ramush Tahiri.
Tahiri ndërkohë është edhe një bga emrat e rëndësishëm të politikës së Kosovës në vitet 90. Në një nga qeveritë e Rugovës në atë kohë ai ishte zv/kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes.
Për disa vite jetoi në Tiranë i përndjekur nga regjimi serb dhe punoi në gazetën Rilindja, ndërsa në vitin 2000 e drejtoi këtë gazetë në Prishtinë.
Tahiri ka qenë këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila ka shërbyer në këtë pozitë nga viti 2011 deri në vitin 2016, si dhe i Nexhat Dacit, derisa ka qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës, në vitet 2001-2006.
Ish-presidentja, Atifete Jahjaga, përmes një mesazhi në rrjetet sociale shprehet: “Me Ramushin kaluam nëpër batica e zbatica politike gjatë kohës sa isha presidente e Republikës. E çmoja për maturinë e tij dhe besimin e palëkundur se mund të zgjidhen problemet edhe kur ato dukeshin të pazgjidhshme”.
Ramush Tahiri ka qenë aktiv prej vitesh në Kosovë me opinione e analiza politike.
Ai ishte baba i dy djemve dhe ishte i martuar me poeten dhe pedagogen Lindita Aliu Tahiri. m.k












