Policia ka ndaluar personin që i iku policisë sot me makinën e tij ndërkohë që ka kapur një sasi kokaine si dhe ka ndaluar disa persona të tjerë. Ndërkohë policia ka deklaruar se po heton ndërhyrjen ndaj gazetarit Ergys Gjençaj.
Personi që habiti policinë ishte Altin Gega ndlrsa kokaina u gjet gjatë operacionit.
Njoftimi i policisë:
Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, mesditën e sotme zhvilloi një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet, për ta kontrolluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur dyert e makinës dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Pas disa minuta ndjekjeje nga ana e Policisë, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Nga ana e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po shqyrtohen dhe analizohen veprimet e drejtuesit të mjetit dhe arsyeja e kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.
Operacioni është në vijim dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore do ketë një deklaratë përfundimtare për median dhe publikun.
Ndërkohë, nga ana e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është duke u verifikuar respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion, si dhe lidhur me incidentin e ndodhur me gazetarin e TV News 24, z.Ergys Gjençaj.












