Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “nuk janë në dijeni të ndonjë padie gjyqësore” në përgjigje të deklaratës së zotit Berisha për të ngritur padi ndaj Sekretarit Blinken për shpifje, raporton gazeta Panorama.
Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi sot përmes një konference për shtyp ngritjen e një padie në Francë ndaj numrit një të diplomacisë amerikane pas vendimit të Departamentit të Shtetit për ta shpallur Berishën dhe familjen e tij person non grata në SHBA.
Sipas Departamentit të Shtetit, në kapacitetet e tij si kryeministër në veçanti, Berisha “u përfshi në akte korruptive, të tilla si keqpërvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij në përfitim personal dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë.”
Akti Anti-Kleptokraci dhe për të Drejtat e Njeriut
Identifikimi i zotit Berisha nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken si person që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për arsye korrupsioni në nivel të lartë bazhet tek Klauzola Anti-Kleptokracisë dhe për të Drejtat e Njeriut, siç quhet neni 7031 (c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to. Kjo klauzolë ka si synim luftën kundër korrupsionit si dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut duke vënë në shenjestër aktorë të huaj, të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, të cilëve u mohon vizën amerikane.
Në bazë të kësaj klauzole, Kongresi i kërkon Sekretarit të Shtetit të pengojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të huaj për të cilët shefi i diplomacisë amerikane ka informacion të besueshëm se “kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt në korrupsion në nivel të lartë, përfshirë korrupsion që lidhet me shfrytëzimin e burimeve natyrore, ose për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.
Klauzola parashikon sanksione me mohim vizash edhe për të afërmit e zyrtarit në fjalë.
Masat që shenjestrojnë zyrtarë të huaj të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut e kanë zanafillën në ligjin e vitit 2008, por në rrjedhën e viteve Kongresi ka bërë amendime të tjera, ndër to duke specifikuar në vitin 2015 se zyrtarët e shenjestruar mund të identifikohen edhe publikisht nga sekretari i shtetit. r.p











