Mediat në Prishtinë kanë publikuar emrat e tre prej shtatë të arrestuarve sot në Kosovë në operacionin e sekuestrimit të 400 kg kokainë në Lipjan me një vlerë tregu 20 milionë euro.
Të arrestuarit janë Izet Sheqiri, Enver Belegu dhe Bajram Maliqi, shkruan Indeksonline.
“Kjo drogë e kalon pastërtinë e 92%, që është ndër pastërtitë më të mëdha të kokainës. Nuk do të ishte e mundur që ajo sasi të hidhej në treg ashtu. Pra nëse janë konfiskuar 400 kg kokainë të tillë, në treg do të hidhej trefishi i saj”, tha gazrzari investigativ Artan Hoxha.
Në operacion pas sinjalizimit të DEA-s u përfshinë përpos Kosovës dhe Shqipëria me Italinë.
Kreu i SPAK, Arben Kraja nga Prishtina konfirmoi se SPAK ka qenë i përfshirë në hetimin e këtij rasti.
Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi tha në një deklaratë zyrtare se vlera e drogës kapte shifrat e 20 milionë eurove nëse do të dilte për shitje në treg.
“Prokuroria e Kosovës ka thirrur sot për aksionin për sekuestrimin e rreth 400 kg narkotikëve. Dëshiroj të falenderoj pjesëmarrjen në konferencë. Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorisë speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë sot janë ndërmarrë masa dhe veprime që kanë rezultuar me konfiskimin e 400 kg kokainë, vlera e të cilave arrin në 20 mln euro dhe janë sekuestruar një sasi e të hollave veturave dhe sendeve të tjera.
Gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta ku kemi përcjellë lëvizjen e narkotikëve për në Itali, pastaj në Durrës dhe deri në arritjen e destinacionit në Kosovë. Kemi vërtetuar porositë e qarta për të gjitha grupet kriminale se do të përballen me drejtësinë”, tha Lymezi. m.k












