Një person u plagos rëndë me thikë sot në Gjirokastër ndërsa vdiq pak më vonë në spital.
Personi që humbi jetën quhet Ilir Llace, 60-vjeçari që u plagos me thikë nga 57-vjeçari pas sherrit për pronat. Mësohet se Llace kishte marrë plagë të mëdha në zonën e barkut, të cilave nuk u ka mbijetuar dot dhe ka ndërruar jetë në spital.
Sherri ndodhi mesditën e sotme në Qafën e Pazarit të Gjirokastrës. Llace dhe Afrim Nazifi u konfliktuan për pronat. Fillisht sherri nisi verbalisht, por më pas Nazifi nxorri thikën dhe plagosi Llacen.
Gjirokastër/ Informacion paraprak
Rreth orës 13:10, në lagjen “Pazari i Vjetër”, Gjirokastër, pas një konflikti të çastit, shtetasi A. N., 57 vjeç, banues në Gjirokastër, ka goditur me mjet të mprehtë shtetasin I. R., rreth 60 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili u transportua për në Spitalin Rajonal Gjirokastër.
Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe bënë të mundur kapjen e autorit, të cilin po e shoqërojnë për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, për të vijuar me procedurat e mëtejshme.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. a.b












