Është arrestuar në Shkodër një 66-vjeçar i dënuar me 12 vjet burg.
Prend Kola ishte i shpallur në kërkim pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës me 12 vite burg për veprën penale të ‘mashtrimit’ në shumën 100 mijë euro.
Në vitin 2006, Prendi në bashkëpunim me Albana Lazen kanë përfituar 100 mijë euro nga familjarët e një të dënuari, duke i premtuar atyre lirimin nga burgu.
Kola ka rënë në kontakt me shtetasin N. Gj., vëllai i të cilit ishte arrestuar si i dyshuar për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhr i ka garantuar se në këmbim të 100 mijë eurove ai mund t’ia nxirrte nga burgu familjarin e tij brenda 6 muajsh, duke i thënë se kishte një njeriun e tij te Gjykata për Krimet e Rënda.
Gjatë gjykimit, i pandehuri Kola ka mohuar akuzën, duke u shprehur se edhe ai ishte i mashtruar nga Laze. Ai ka deklaruar se nuk ka përfituar asgjë nga shuma prej 100 mijë eurosh. Për të njëjtën ngjarje, në vitin 2011 Laze u dënua me 8 vjet burg, vendim që u la në fuqi edhe në Apel. a.b
Njoftimi i policisë:
Fale bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis Policisë të Tiranës dhe Policisë së Shkodrës, u bë e mundur kapja në Shkodër e 66-vjeçarit të shpallur në kërkim.Në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ekzekutimi i vendimit të ndalimit për shtetasin Prend Kola., 66 vjeç, i kapur nga sherbimet e Policisë së Shkodrës, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.












