Presidenti Ilir Meta ka depozituar një letër në KQZ ku kërkonte nga institucioni dhe Kuvendi i Shqipërisë që të denonconin tentativat e maxhorancës për të cënuar veprimtarinë zgjedhore të opozitës. Kreu i shtetit, lidhur me shqetësimin e tij, u është referuar dy rasteve; bastisjes së zyrave të Frymës së Re Demokratike nga Bashkia e Tiranës dhe përplasjeve të ndodhura mes simpatizantëve në Elbasan.
Për kreun e shtetit situata parazgjedhore është cënuar rëndë.
Letra e Metës:
“Siç dhe jeni njohur me zhvillimet e fundit, përmes medias së shkruar, elektronike dhe vizive, situata politike parazgjedhore dhe klima e besimit ndërmjet forcave politike garuese në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, është cenuar rëndë. Përpos faktit të pasqyrimit në media të zhvillimeve të fundit në Tiranë dhe Elbasan, si President i Republikës, më duhet t`ju bëj dije mbi një situatë tërësisht të paligjshme, që ndodhi në selinë e Frymës së Re Demokratike, forcë politike kjo e cila u sulmua dhunshëm nga strukturat dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë. Ky sulm, që u organizua dhe ekzekutua vetëm pak ditë më parë, në datën 12 mars 2021, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të FRD-së me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës, bashkëjetesës që do të duhet të shoqërojë situatën, para, gjatë, dhe pas zgjedhore. Ky sulm është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend”,– mësohet të jetë shprehur Presidenti Meta në këtë letër.











