Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se shqiptarët do t’u jenë përjetë mirënjohës për sakrificën e tyre sublime, duke publikuar një foto të 24 mjekëve që kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Ndërkohë që sot humbi jetën prof.dr. Mihal Kërci, mjek anastezist, për të cilit kreu demokrat shprehu ngushëllime për familjen dhe kolegët.
Basha e konsideron një tjetër humbje të rëndë për personelin mjekësor.
“Me hidhërim të madh mësova për ndarjen nga jeta të mjekut Mihal Kërci. Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjen, miqtë dhe kolegët e profesor Mihalit. Kjo është një tjetër humbje e rëndë për të gjithë ne dhe personelin shëndetësor, që janë në vijën e parë të betejës për të shëruar të sëmurët me COVID-19, ndërsa vënë në rrezik jetët e tyre.
Të gjithë së bashku jemi përjetë mirënjohës për sakrificën sublime të mjekëve që humbën jetën në betejën për të shpëtuar jetë. Nderimi dhe respekti për sakrificën e tyre do të jetë bashkëshoqërues i përhershëm në kujtim të kësaj periudhe të vështirë që po kalojmë.
Mjekë, infermierë, ndihmës-mjekë, teknikë, administratorë, vullnetarë, shoferë, roje, e shumë të tjerë – të rinj në profesion apo në pension – kanë vënë në rrezik dhe kanë humbur jetën gjatë këtyre muajve pandemie.
Mirënjohje dhe falenderime për stafet tona mjekësore! Ata janë heronjtë tanë në vijën e parë të betejës me COVID!”, shkruan Basha.
/DRONI.al/ l.b











