Sot, në Tiranë, nis takimet një delegacion i Komisionit të Venecias, lidhur me Paketën Antishpifje.
Kjo e fundit u kundërshtua shumë nga organizatat mediatike dhe në momentin kur Presidenti Meta e ktheu për rishqyrtim, Këshilli i Europës vlerësoi se ishte koha e duhur që këto dy ligje të përmirësoheshin.
Këshilli i Europës e dërgoi çështjen në Komisionin e Venecias dhe pas tij të njëjtën gjë bëri edhe OSBE, e, për këtë qëllim, misioni faktmbledhës do të nisë sot turin e takimeve me palët e ndryshme lidhur me këtë ligj.
AXHENDA
Delegatët e Komisionit të Venecias do të jenë në Tiranë për tri ditë dhe turin e takimeve do ta nisin me nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi, në orën 9:15. Më vonë, delegacioni do të takohet me grupet parlamentare të maxhoranës dhe të opozitës.
Ligji për AMA-n, pjesë e Paketës Antishpifje, u shty për një kohë të dytë. Vendimi u mor nga maxhoranca, e cila vendosi ta rrëzojë dekretin e Metës për kthimin e ligjit për AKEP, ndërsa për atë të AMA-s, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, nga seanca plenare deklaroi se çështja do duhet të presë derisa të merret një vendim nga Komisioni i Venecias.
/DRONI.al/











