Ekrem Onuzi është bariu i cili u sulmua ditën e djeshme nga një ari në malin e Gjallicës. Burri ka shpjeguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja nga spitali i Traumës në Tiranës.
Fatmirërisht, Onuzi shpëtoi pa dëmtime serioze. Në një prononcim për FaxNews ai ka treguar se sulmi ndaj tij nuk ka zgjatur shumë dhe e gjitha falë qenëve të stanit që i erdhën menjëherë për ndihmë. Gjithashtu 45-vjeçari nuk ka lënë pa përmendur faktin që shërbimi i ambulancës nuk i ishte përgjigjur.
“Sapo iku iu fala Allahut së pari, dhe pastaj qenëve. Thirra familjarët që të më vinin për ndihmë. 127 nuk mu përgjigj. Erdhi një shok e më mbajti në shpinë. Të gjithë bashkëfshatarët më erdhën, i morën të gjithë në telefon. Jo e kemi helikopterin me shërbim më thoshin. Isha i tronditur se më kapi në befasi, ishte diku tek 500 kilogram. Sulmi nuk zgjati shumë, se më ndihmuan qentë. Telefonin ma hodhi nga 4-5 metra larg. E kapa duke u zvarritur. I pashë vetë tre qentë që iu hodhën në kokë,”-tregoi bariu.
K.B/DRONI.al












