Një ngjarje e pazakontë ka përfshirë diplomatin e njohur Ettore Francesco Sequi, i cili ka shërbyer si Ambasador i BE në Shqipëri.
63 vjeçari u është drejtuar autoriteteve në Itali pasi e përndiqnin dhe e kërcënonin në telefon. Në vitin 2017, Ettore Sequi kishte patur një lidhje të shkurtër me autoren dhe skenaristen e RAI-t, Valentina Pizzale, 41 vjeçe, por pas ndarjes ajo nisi ta përndiqte me mesazhe të tipit “do të të shkatërroj” duke e fyer në çdo orë të ditës.
Pizzale ka përfunduar dje në arrest shtëpie, me akuzën për kërcënim, pas denoncimit të Sequi-t. Qëllimi i saj ishte të detyronte ambasadorin të mos i jepte fund lidhjes me të dhe këtë kërkonte ta arrinte duke e kërcënuar atë se do të bënte publike lidhjen e tyre.
Pizzale e dinte që po hetohej pas denoncimit të diplomatit, por vijonte ta përndiqte atë. Aktualisht 41-vjeçarja është në apartamentin e saj dhe nuk mund të komunikojë me botën e jashtme, madje as përmes mediave sociale.











