Një grup turistësh spanjollë kanë pësuar një sulm fizik pak minuta më parë në plazhin e Borshit.
Mësohet se turistët kanë mbetur të pakënaqur nga shërbimi në një lokal dhe kanë tentuar të largohen. Mirëpo, furgoni i tyre është ndjekur nga pronarët e lokalit ku kishin drekuar, të cilët kanë goditur me grushte turistët dhe drejtuesin e mjetit.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, sipërmarrësit më pas kanë nxjerrë armë të ftohta dhe kanë thyer xhamin e furgonit.
Mjeti është larguar deri në vendin e quajtur “Volloder”, ku është pikasur nga një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), që kanë ndërhyrë menjëherë.
Aktualisht forca të shumta të policisë së Himarës, Sarandës dhe të FNSH-së janë vënë në ndjekje të autorëve.
Në furgon gjendeshin 7 persona, prej të cilëve 5 spanjollë, shoferi dhe shoqëruesi i turistëve.











