Rakip Suli, si hyri dhunshëm duke shqyer dyert e Bashkisë në Kamzë, pretendon se ka nisur dje ditën e parë të punës në krye të bashkisë, që deri dje drejtohej nga Xhelal Mziu. Në zyrën e tij, ai kishte hequr karrigen që ka përdorur Mziu, duke e zëvendësuar me një karrige të thjeshtë.
Krahas kësaj, ai hoqi edhe portretin e Presidentit Meta, duke e zëvendësuar atë me fotografinë e Ismail Qemalit në zbatim të vendimit të marrë nga qeveria Rama në mbledhjen e saj të parë në vitin 2013.
Në një prononcim për “Top Channel”, Suli theksoi se puna e parë që do të bëjë do të jetë pastrimi i zyrave të bashkisë, pasi, sipas tij, ato janë lënë në gjendje skandaloze.
Rakip Suli u zgjodh kryetar i Bashkisë së Kamzës pas procesit elektoral të 30 qershorit, ku garoi i vetëm pa kundërshtarë përballë. Më parë, kjo njësi vendore ishte drejtuar për 12 vite nga Xhelal Mziu.











