Artan Lame do të jetë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, institucion që bashkon Hipotekat dhe ALUIZNI-n.
Ishte zv.kryeministri Braçe ai që e prezantoi Lamen ditën e sotme, ndërsa të dy nënvizuan idenë se Kadastra do të vijonte suksesin që, sipas tyre, kjo qeveri ka pasur me legalizimet.
Braçe tha se do ta ndjekë personalisht jo vetëm mbarëvajtjen e këtij institucioni por të gjithë koordinimin me institucionet e tjera.
Ndërsa vetë Lame theksoi se zgjidhja e çështjes së pronësisë do të shtrihej në tre drejtime.
“Reforma do të jetë në tre drejtime: Reformë thelbësore në hartografi, reformë thelbësore në shërbime dhe sistemet e shërbimit dhe reformë thelbësore në burimet njerëzore, në meritokraci,– tha Lame.
Ligji i ri për Kadastrën hyri në fuqi pak kohë më parë dhe së shpejti ngrihet edhe struktura e re. Agjencia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, dhe Institucioni shihet si themeli i reformës së pronës.











