Ashtu si është diskutuar për disa ditë me radhë, Partia Socialiste sot mbledh Kongresin në Pallatin e Kongreseve në orën 10, ku pritet të ketë rreth 8 orë punime.
PS ka publikuar të gjithë planin, ku është e ndarë në tre seksione të ndryshme.
Seanca hapet në orën 10:00 me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Ballës. Më tej, për bashkëqeverisjen me njerëzit do të flasin Zv.kryeministri Erion Braçe dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj të pasuar nga fjalimet e shumë socialistëve, që do të dëshmojnë se bashkëqeverisja ka pasur sukses.
Kryeministri Edi Rama pritet të flasë në seancën e dytë të Kongresit, pas kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili do të prezantojë edhe kandidatët e PS për anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë.
Seanca e tretë do të zhvillohet në tre vende të ndryshme, ndërsa Kongresi do të mbyllë punimet në orën 17:00.
Një nga të ftuarit në Kongres është edhe ish kryeministri Fatos Nano, i cili pritet të marrë pjesë, por nuk do mbajë fjalim.












