Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Uniteti i ka ikur edhe një deputet nga radhët e saj. Deputeti Dritan Bici ka kaluar në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeparlamentari Gramoz Ruçi gjatë seancës plenare.
“Iu njoftoj se deputeti Dritan Bici është bërë anëtar i grupit të PS-së. Në zbatim të kodit për dorëzimin e mandateve, njoftuam organin kompetent për të vijuar me procedurat e mëtejshme”, tha Ruçi.
Bici vjen nga qarku i Elbasanit dhe mori mandatin në fillim të vitit 2018, më shumë se 4 muaj konstituimit të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e qershorit 2017, për shkak të heqjes së mandatit të Aqif Rakipit, i prekur nga ligji i dekriminalizimit.
Ky është deputeti i tretë nga radhët e opozitës që nuk pranon lënien e mandatit. Më parë ishin deputeti i LSI-së, Lefter Koka dhe deputeti i PD-së, Myslim Murrizi që nuk pranuan të lënë mandatin.












