Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi se dy familje kishin lejuar shembjen e banesave të tyre pa lejë, duke e cilësuar këtë si fillim të një gjëje të mirë.
Ai pretendonte se ata kishin pranuar të zhvendoseshin në banesat sociale, duke lejuar prishjen e godinave për zgjerimin e rrugës.
Por nga ana tjetër, qëndron një tjetër version i së vërtetës.
Sipas lëvizjes ‘Mbështetje banorëve të Unazës së Re’, godinat që u shemben nga IKMT janë në zonën e Laprakës dhe jo te ‘Unaza e Re’.
“Të dashur miq, ky lajm është një mashtrim se nuk ka lidhje me Unazën e Re, por me disa magazina e banesa mbrapa ‘AMC’, në zonën e Laprakës, po ky Eri kërkon panik dhe provokim për banorët e Unazës së Re”, njofton kjo faqe.
Në këto momente, ende po vazhdon situata e tensionuar mes policisë dhe banorëve të Astirit. Forcat e shumta të policisë tentuan të shoqëronin një prej banorëve, por më vonë e kanë liruar.
Shkak për përplasjen është bërë heqja e shtyllave të ndriçimit.












