Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule ka mbërritur në Bularat, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Kostandinas Katsifas nga ku ka bërë dhe një deklaratë në shqip.
Ai ka kërkuar të zbardhet e vërteta për vrasjen e Katsifasit e cila nuk duhet të humbasë dhe as të vonojë.
”Jemi sot në radhë të parë në këto momente që janë momentet e varrimit dhe si pasojë janë të shenjta. Jemi këtu për të ndarë dhimbjen me gocën e Kostandinos, me mamanë, babin dhe gjithë komunitetin. Jemi këtu për të shprehur nderimin ndaj të ndjerit, por edhe vendosmërinë që e vërteta duhet të ndriçohet deri në fund.
Transparenca e kësaj çështje, zbardhja e saj është me rëndësi jetike. Ajo mund të vonojë, por natyrisht nuk do të humbasë”, tha Dule.
Ndërkohë që shumë prej grekëve që mbërritën në orët e para të mëngjesit kanë vijuar me parulla dhe deklarata ekstremiste, ku nuk kanë munguar as thirrjet nacionaliste kundër shqiptarëve, teksa kanë valëvitur dhe flamujt.
Kujtojmë deri tani u kthyen 8 grekë dhe u shoqëruan 2 të tjerë në polici për shkak se mbanin me vete mjete me nënshkrime ekstremiste.












