Dështoi për të tretën herë seanca gjyqësore ndaj Ahmet Ajetit, i cili në vitin 2005 organizoi një atentat ndaj Lulzim Berishës në Durrës.
Ajeti nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai ka qenë pjesë e bandës së Endrit Dokles e Adriatik Colit. Ndërkohë që pretendohet se është paguar me 80 mijë euro në vitin 2005 për të vrarë Lulzim Berishën.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mosnjoftimi i Lulzim Berishës nga ana e policisë, pasi nuk gjendet në banesën e tij në Durrës. Policia e Durrësit ka kontaktuar edhe me motrën e Lulzim Berishës, por ajo i ka thënë se i vëllai është jashtë vendit.
Ajeti është dënuar në mungesë me 20 vjet burg për tentativë vrasje dhe u ekstradua nga Lipjani i Kosovës, në Shqipëri 4 muaj më parë.
Pas ekstradimit, Ajeti kërkoi rihapjen e çështjes, dhe rishqyrtimin e dosjes në prani të tij.











