Është shkarkuar nga detyra, Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Bejtush Gashi. Mësohet se shkarkimi i ministrit është bërë nga partia e Behxhet Pacollit.
Lajmi për shkarkimin konfirmohet nga sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli, ndërsa në vend të Gashit në krye të MPB-së pritet të emërohet Ekrem Mustafa.
Rrahim Pacolli ka deklaruar se shkarkimi i tij vjen pasi që i njëjti nuk ka treguar performancë të mirë në punët me të cilat obligohet.
“Po, është e vërtetë që ai është shkarkuar nga ana e partisë. AKR-ja gjithmonë i ka ndërruar ministrat e saj. Kjo po bëhet për shkak të performancës. Çdo ministër i AKR-së, duhet të japi më shumë punë në të mirë të qytetarëve”, i tha Expressit Pacolli.
E shkarkimi i Gashit nga detyra e të parit të MBP-së vjen në kohën kur Kosova është duke e pritur votimin për anëtarësim në INTERPOL.
Express merr vesh se ministër i ri mund të jetë Ekrem Mustafa nga Ferizaj. Për këtë më i zëshmi ka qenë deputeti i kësaj partie, Labinot Tahiri, duke thënë se Ferizaj si një qytet që jep aq shumë për shtetin e Kosovës, e meriton një ministër nga rajoni i vet.











