Djali i deputetit socialist Rrahman Rraja do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit në Durrës deri në momentin e daljes në gjykatën e Krujës për rivlerësimin e masës së sigurisë.
Rexhep Rraja u arrestua paraditen e së dielës 30 shtator, teksa ndodhej në një biznes që jepte makina me qera pranë Rinasit.
Por ajo që të bën përshtypje është fakti se ndaj djalit është ngritur vetëm akuza e “përndjekjes”. Ndërkohë ekspertiza mjekoligjore vërtetonte se ndaj 25 vjeçares Xhisiela Maloku ishte ushtruar dhunë, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.
Mjekësia ligjore dorëzoi më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë.












