Pjesë e takimeve të minstrit gjerman në Tiranë, ishte dhe takimi me Lulzim Bashën,kryetarin e Partisë Demokratike.
Mësohet se në takimin mes të dyve është folur për hapjen e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit të PD, Basha shprehu shqetësimin e PD dhe të opozitës për përmasën e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, falë lidhjeve dhe bashkëpunimit me politikanët në pushtet.
Duke iu referuar kushteve të vendosura në Samitin e Sofjes, Basha i konsideroi lidhjet e politikës me krimin si pengesën më të madhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, si dhe rrezik për stabilitetin e vendit.
Duke falenderuar ministrin gjerman për ndihmën e madhe që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, Basha shprehu gatishmërinë e opozitës për të vazhduar të kontribuojë në zbatimin e reformës në drejtësi, bazuar në parimet e respektimit të Kushtetutës, moskapjes partiake të gjyqësorit dhe arritjes së rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kreu i opozitës rikonfirmoi qëndrimin për mosndryshimin e kufijve në Ballkan dhe falenderoi Kancelaren Merkel dhe qeverinë gjermane për pozicionimin e qartë në këtë çështje.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet objektivi kryesor politik i Partisë Demokratike”– theksoi zoti Basha.











