Është mbyllur një baxho në qytetin e Shkodrës, pasi tregonte djathë në kushte skandaloze higjieno-sanitare.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se ka kapur në flagrancë shtetasin Durim Gallubja i cili tregtonte djathë të bardhë pa asnjë lloj etikete si dhe në kushte jashtë standarteve.
Gjithashtu, ky shtetas kryente veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore duke ruajtur produktin djathë në ambient frigoriferik me përmbajtje myku si dhe temperatura e trajtimit të qumështit nuk ishte në normat e lejuara.
AKU thotë se u mor masë administrative gjobë 350.000 lekë , mbyllje të aktivitetit si dhe bllokim të sasisë së produktit “djathë i bardhë” prej 120 kg, si dhe u morën mostra për analiza.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor (njësive të tregtimit e shërbimit) që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.











