Prokuroria ka zbarkuar mëngjesin e së martës në selinë e Partisë Demokratike, për të marrë audio përgjimin për vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Oficerë të policisë gjyqësore, në orët e para të së martës kanë marrë në Partinë Demokratike audio përgjimin, për vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Oficeri i Policisë Gjyqësore Bleart Flaka, mësohet se ka kontaktuar me tre zyrtarët e PD-së, që dje publikuan audio-përgjimin denoncues.
Një ditë me parë Partia Demokratike publikoi një audio përgjim ku pretendohet se Agron Xhafaj bënte pazare droge me një person që sipas PD është bashkëpunëtor i tij.
Audio-përgjimi u vendos dje në dispozicion të mediave, nga ku dëgjoheshin dy persona tek flisnin për një çështje. Më pas personi i supozuar si Agron Xhafaj e drejtonte bashkëbiseduesin tek “Ermali”, ndërsa i kërkonte të mos i binte më qafë pasi vëllai i tij dhe ai po sulmoheshin.














