Ish deputeti i PS-së dhe tani drejtues i partisë ‘Zgjidhja’, Koco Kokëdhima e ka vënë gishtin tek Bashkim Fino si shkaktar i tërthortë i shembjes së dy urave shekullore gjatë shirave të javës së fundit.
“Ura 300-vjeçare e Orgockës në Kolonjë dhe ajo 200-vjeçare e Hoshtevës në Libohovë nuk janë më. Këto vepra arti disa shekullore dhe pjesë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë u zhdukën sepse kjo qeveri tutkunësh nuk kishte kohë për t’i restauruar e mbrojtur, ngaqë ishte e zënë me planin për kapjen e drejtimit të FSHF-së. ZGJIDHJA denoncon me shqetësim dhe indinjatë të thellë këta zyrtarë të lartë që zhdukin në një ditë të vetme thesare dhe dëshmi kulturore e historike që nuk i zhdukën dot shekujt”, deklaron Kokëdhima.
Du urat e shembura këto ditë kanë alarmuar opinionin publik për mungesë vëmendjeje të qeverisë ndaj vlerave historike dhe të artit në vend.
Lidhja e Kokëdhimës mes rrëzimit të urave dhe Bashkim Finos është fakti se ky i fundit ishte gati të linte postin e deputetit që të merrte atë të Presidentit të FSHF, gjë që nuk u realizua dje gjatë garës.












