Ashtu si PD edhe LSI e ka cilësuar një proces të kompromentuar për zgjedhjen e 10 anëtarëve të KLGJ dhe KLP në komisionin e ligjeve. Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili kërkoi të nisë ndjekja penale për Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit për manipulim të të dhënave të kandidatëve. Sipas tij në garë kanë hyrë kandidatë të skualifikuar nga ONM.
“Një listë e tillë e manipuluar, një proces i tillë i manipuluar është atentati më i rëndë që mund ti bëhej reformës në drejtësi. Kandidatë të cilët u skualifikuan nga ONM për pamundësi moral për të vazhduar konkurimin, përkundrazi janë propozuar. I bëj thirrje Prokurorisë të fillojë ndjekjen penale kryesisht për sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit Genci Gjonçaj, i cili ka manipuluar thellësisht këtë proces”, u shpreh Vasili.
Mazhoranca sipas LSI po bën të pamundurën për të kapur sistemin e drejtësisë dhe se ky akt do të largojë Shqipërinë nga Europa. Vasili garantoi se qëndresa e LSI ndaj kësaj situate alarmante është e palëkundur për të mos lejuar kapjen e sistemit të drejtësisë.












