Policia e Vlorës ka sekuestruar një gomone në Radhimë. Gomonia me 9 metra kishte dy motorë të fuqishëm është gjetur në breg të detit, dyshohet se përdorej për trafik droge.
Burimet e Policisë vendore saktësojnë se gjatë mëngjesit të sotëm shërbimet e Policisë Kufitare së bashku me Delta Forcën gjatë patrullimit të kontrollit të territorit kanë konstatuar në vendin e quajtur Radhimë në breg të detit një gomone 9 metra të gjatë me dy motorë.
Nga verifikimi paraprak dyshohet se mjeti mund të jetë braktisur dhe se në brendësi të tij nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Po vijojnë verifikimet për dokumentimin e plotë ligjor dhe identifikimin e pronësisë së këtij mjeti.











