5 persona të gjithë anëtarë të një familje, mes të cilëve edhe dy fëmijë si dhe shoferi i një kamioni kanë humbur jetën në një autostradë në Italinë Veriore. Në aksidentin tragjik u përfshi një kamion, një makinë dhe një autocisternë e mbushur me benzinë. Vdekja nuk erdhi nga përplasja por nga flakët.
Në korsinë veriore të autostradës ishte krijuar një autokolonë, kur një kamion u përplas mbi makinën e fundit në varg, me targa franceze, në të cilën udhëtonte një familje.
Kjo makinë u përplas më pas me autocisternën që ndodhej para saj dhe përplasja ka çuar në një shpërthim. Zjarri që shpërtheu më pas, shkaktoi një re gjigante tymi që e bëri shumë të vështirë punën e skuadrave të shpëtimit që mbërritën në vendngjarje. Incidenti ndodhi në afërsi të Breshias. Autostrada u mbyll për disa orë në të dyja drejtimet, pas aksidentit.












