Një shpërthim ka ndodhur në Vlorë paraditen e sotme, duke rrezikuar jetën e një familje të tërë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 10:20, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë se në lagjen “Kushtrim”, në një pallat ka shpërthyer një bombol gazi.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësja kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se në katin e gjashtë të pallatit, në banesën e shtetasit V. S ., 60 vjeç, ka shpërthyer një bombol gazi e për pasojë ka marrë flakë banesa dhe janë dëmtuar orenditë shtëpiake.
Fatmirësisht nuk ka shtetas të dëmtuar por vetëm dëme materiale. Zjarrfikësja ka bërë shuarjen e flakëve të zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.












