Thethi është një nga fshatrat që e ka ndjerë më tepër ashpërsinë e këtij dimri në fillimin e muajit dhjetor, pasi reshjet e dëborës e kanë lënë zonën të bllokuar për disa ditë. Edhe pse pastrimi i rrugës që të çon në fshatin turistik përfundoi ditën e djeshme, dëbora e ka bllokuar sërish rrugën sot, teksa është bërë i pamundur kalimi i automjeteve në këtë aks.
48 orët e fundit në këtë zonë janë karakterizuar nga reshje të dendura bore ç’ka ka përkeqësuar situatën në rrugën Qafë Thore- Theth. Trashësia e borës ka arritur mbi 50 cm dhe të bllokuar janë rreth 200 banorë të zonës. Probleme ka edhe me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra, ku rrjeti i amortizuar apo dëmtimi i linjave ka bërë që zona të jetë në errësirë.











