Një nga gazetat më të njohura greke “Kathimerini”, duke ju referuar burimeve nga hetuesia, shkruan në numrin e sotëm se droga e sekuestruar në gomonen e nisur nga brigjet e Himarës ka lidhje me klanin e Habilajve. Sipas gazetës greke kjo sasi e konsiderueshme kanabisi kishte për destinacion final Turqinë dhe jo Italinë siç u raportua më parë në media. Në artikull nënvizohet se transporti i lëndës narkotike do të bëhej më herët, por ky rrjet kriminal e shtyu ditën e nisjes së gomones, sepse u alarmuan nga arrestimi i Habilajve në Itali dhe zhvillimet me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në shqipëri. Gjithashtu gazeta greke nxjerr në pah edhe një detaj të pazbuluar më parë. Sipas saj një nga gjashtë shqiptarët e arrestuar për këtë ngarkesë droge është kushuriri i Saimir Tahirit.











