Në hotelin “Santa Quaranta”, në pronësi të Klement Balilit në Sarandë kanë mësyrë paraditen e sotme dhjetëra forca policie. Kjo pronë luksoze e të shumëkërkuarit të drejtësisë, të cilësuar nga DEA amerikane si “Eskobari i Ballkanit” do të vendoset në nën sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vendosur në sekuestron preventive kompleksin e njohur dhe 20 apartamente që janë pronë e Balilit dhe familjes së tij, me dyshimin se janë përfituar nga aktivitete kriminale, si trafiku i drogës. Ndërkohë Klement Balili vazhdon të jetë në arrati dhe arrestimi i tij nuk është bërë asnjëherë i mundur pavarësisht disa operacioneve blic të Policisë së Shtetit.












