Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn ditën e djeshme ka zhvilluar një takim me kryeopozitarin Lulzim Basha në selinë e Partisë Demokratike. Menjëherë pas kthimit nga Vlora, ku shoqëronte kryeministrin Edi Rama, komisioneri për zgjerim ka qëndruar për rreth dy orë në zyrën e Lulzim Bashës. Mësohet se fokusi i takimit është vendosur te Reforma në Drejtësi dhe nisja nga puna e procesit të Vettingut. Basha ka shprehur vullnetin e PD-së për të pastruar drejtësinë nga korrupsioni. Mësohet se mesazhi i Hahn ka qenë ai që u artikulua edhe dje në konferencën për shtyp, pra që të gjitha partitë politike çështjen e integrimit ta cilësojnë si objektiv kryesor. Ndërkohë për kreun e opozitës trafiku i narkotikëve mbetet rreziku më i madh për vendin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mësohet se Basha i ka bërë komisionerit Hahn një ekspoze mbi lidhjet e politikës me grupet kriminale, duke sjellë shembuj edhe të blerjes dhe ndikimit të votës në zgjedhjet e 25 qershorit.












