Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar ardhjen në Shqipëri të agjentëve amerikanë dhe gjermanë, që do të asistonin në luftën kundër krimit të organizuar. Dy agjentët e parë të FBI-së duket se kanë mbërritur në Tiranë dhe prezantimin e parë e kanë bërë paraditen e sotme. Ata kanë qenë të pranishëm në një takim në Ministrinë e Brendshme, ku ishte edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, ajo e BE-së, Romana Vlahutin dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Takimi në Ministrinë e Brendshme është bërë për të prezantuar detaje nga operacioni i koduar ‘Forca e Ligjit’. Bëhet fjalë për një përmbledhje të aksioneve të bëra muajt e fundit.












