Pas ndërtimit të një objekti pa leje në grykën e Këlcyrës në lumin Vjosë, si dhe pas analizës së veprimeve dhe mos veprimeve të strukturave vendore të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur disa masa për punonjësit e Policisë, të cilët janë evidentuar me përgjegjësi administrative dhe penale. Kështu, konstatimi i grumbullimit të materialeve dhe fillimit të punimeve në këtë vend për devijimin e një burimi natyror uji, është bërë në datë 5 shtator 2017 nga grupi i kontrollit të territorit të Postës së Policisë Këlcyrë. Megjithatë ngjarja nuk është raportuar pranë strukturave përgjegjëse, nuk u kryen veprimet proceduriale dhe nuk u referua çështja në Prokurori. Drejtuesit e Drejtorisë Vendore nuk kanë ushtruar përgjegjësinë ndaj strukturave në varësi për raportimet për kontrollin e teritorit. Kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor është detyrë e strukturave të Policisë Vendore. Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara u morën këto masa:
· U shkarkua nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu;
· U shkarkua nga detyra Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara;
· U përjashtua nga Policia e Shtetit Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës;











