Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shkarkoi sot nga detyra 3 zyrtarë të bashkisë propozuar në ato detyra nga LSI.
Mësohet se është shkarkuar drejtori i Ndërmarrjes së Punëtorëve numër 3, Artjon Çaushllari; administratori i njësisë së Farkës, Gazmend Kukli; si dhe drejtoresha e Qendrës Sociale të Shkozës, Kajame Guri.
LSI ka marrë një numër të konsiderueshëm votash në Farkë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2015 duke dalë edhe para PD në këtë ish-komunë që është drejtuar për 20 vite nga PD.
Mësohet se shkarkimi i tre zyrtarëve nga Veliaj ka ardhur fill pasi LSI u distancua publikisht nga vendimi i dy këshilltarëve të saj për të votuar pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak.
Ndërkohë vetë LSI përjashtoi nga rradhët e saj dy këshilltarët që mundësuan dje rritjen e çmimit të ujit.











