Kryetari i PD-së e quajti “pazar të pisët” zgjedhjen e Ilir Metës në postin e presidentit. Nga çadra tha se sot Edi Rama firmosi dështimin total për reformën në drejtësi.
“Këta e konsiderojnë gjithçka çifligun e tyre. Pasi i hoqën me ligj çdo kompetencë dhe e shndërruan në një zyrë me më pak fuqi veprimi se një post drejtori në Vlorë, e trajtojnë si një plaçkë për të kënaqur orekset dhe për të mbyllur pazarin e pisët me atë të cilit mendojnë se do asgjësojnë demokracinë”, u shpreh Basha
Sipas Bashës, në ditën e 70 të e protestës, opozita nuk heq dorë nga kërkesat e saj.
“Rruga e vetme e shpëtimit është qeveria teknike si garante e zgjedhjeve të lira e të ndershme përfshi votimin dhe numërimin elektronik dhe më pas Vetting-un që ai bën sikur e do dhe që ai i trembet si vampiri dritës së diellit. Qeveri teknike dhe ditën e parë të kësaj qeveri Vetting-un e vërtetë”, u shpreh midis të tjerave Lulzim Basha.












