I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në News24, kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi foli për krizën politike në të cilën vendi ndodhet dhe se çfarë pritet të ndodhë në vijim.
I pyetur nga gazetari Ylli Rakipi nëse Rama ju përdor për të trembur Metën dhe anasjelltas, Idrizi tha se PDIU ka peshën e vet në skenën politike tashmë.
“Mendoj dy gjëra. E para, PDIU ka peshën e vet në skenën politike shqiptare. Të garantoj që në zgjedhjet e ardhshme do dyfishojmë mandatet tona. Për shkak të peshës që kemi, dhe rolin që po luajmë në përpjekjen për t’u ulur në bisedime. Deduksioni i dytë, është fakti i gabuar që dikush mund ta përdorë PDIU-në, por kjo vjen si pasojë e Kodit Zgjedhor që kemi nga partitë e mëdha. Ju kujtoj se pas vitit 2005 ka ikur koha e partive shtojcë” tha Idrizi.












