Foto ilustruese
Policia Kufitare e Sarandës ka kapur dy gomerë që po kalonin kufirin shqiptar dhe po shkonin në Greqi nga Qafë Bota. Ata ishin ngarkuar me 52 kg kanabis, ndarë në 4 çanta; nga dy për secilin.

Policia Kufitare e Sarandës ishte njoftuar dje, më 4 prill, në rrugë operative, se po transportohej lëndë narkotike me kafshë në drejtim të kufirit tokësor të Greqisë, ndaj menjëherë filloi kontrolli i territorit në bashkëpunim me Policinë e Sarandës.
Nga kontrolli i zonës së Qafë Botës, pranë vendit të quajtur “Piramidat 66”, shërbimet kanë konstatuar një sasi me lëndë narkotike (52 kg) të futur në 4 çanta sportive, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Trafikanti nuk u gjend dhe sipas policisë, mendohet se ai është fshehur në Greqi, ndaj policia ka nisur bashkëpunimin me palën greke për kapjen e tij, megjithëse nuk kishte asnjë shenjë prej tij.












