Një shqiptar, për të cilin ekzistonte një urdhër-arresti evropian, u arrestua nga policia italiane në Napoli.
Sipas medieve lokale mësohet se, Genc Loku, 26 vjeç, pasi i ka shpëtuar disa herë arrestimit, është identifikuar nga policia e komisariatit të Castel Volturno (Caserta) falë një fotografie të postuar në rrjetet sociale. Në foto, pas shpinës së tij, dukej edhe një tabelë me të dhënat e rrugës. Kështu u zbulua se ai ndodhej në komunën Castellamare di Stabia (Napoli).
Prania në Itali e Lokut, është raportuar që në vitin 2014 policisë italiane nga autoritet shqiptare që e kanë dënuar 26-vjeçarin me 4 vite burgim. Atëherë, ai jetonte në komunën e Castel Voltuno, por arriti ti shpëtonte prangave. Ndërkohë, për të u lëshua nga Gjermania një mandati arresti evropian për “krime kundër personit”, raporton ANSA.











