Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në qeli 4 policët e doganës së Qafë Thanës të cilët akuzohen se nuk kanë kontrolluar një kamion që ishte i ngarkuar me 8 ton kanabis dhe që u kap në Ankona, Itali.
Seanca e sotme ishte për verifikim mase pasi ata janë arrestuar me vendim gjykate.
Të arrestuar janë, Çlirim Pepa, Ervin Kodra, Syrja Terziu dhe Lirim Petrit Halili.
Ata u arrestuan më 24 mars 2017 pasi hetimet zbuluan se një kamion me 8 ton drogë nga Maqedonia kishte hyrë në Shqipëri dhe më pas nga porti i Durrësit ishte larguar drejt Italisë.
Para gjykatës dolën sot Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni; Ervin Kodra me detyrë, kontrollor hyrje dhe dalje; Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje; Syrja Terziu si kontrollor në hyrje.
Kamioni me 8 ton drogë hyri në Qafë Thanë dhe s’u skanua në Durrës
Prokuroria deklaroi se, “kamioni që drejtohej nga shtetasi maqedonas Z. S., kishte hyrë në Shqipëri më 4 shkurt 2017 nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, Pogradec dhe pasi i është nënshtruar verifikimeve doganore të tij dhe dokumentacionit, është lënë i lirë për të udhëtuar tranzit në drejtim final të deklaruar, për në Belgjikë.
Po me datë 5 shkurt në orën 15:50, ky mjet me të njëjtin drejtues është paraqitur në dalje nga Shqipëria nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Portit Durrës, i cili pasi i është nënshtruar procedurave të kontrollit të dokumentacionit shoqërues të tij, pa u kontrolluar në skaner, është lejuar të vazhdojë udhëtimin duke u mbingarkuar në tragetin, i cili ka udhëtuar në linjën Durrës-Ankona (Itali)”.
Kamioni me 8 tonë marijuanë u bllokua në territorin e Venecias Itali më 8 shkurt 2017 .











