Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se opozita nuk tërhiqet nga kushti i saj për qeveri teknike që do garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor.
Këtë qëndrim, tha Basha, përfaqësuesit e opozitës ua bënë të qartë Ambasadorëve të vendeve të BE gjatë drekës së punës që zhvilluan sot.
“Diskutuam për gjendjen politike në vend dhe bashkë me përfaqësuesit e tjerë opozitarë bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja qytetare dhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës që është një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha në përfundim të drekës së sotme.
Kjo është dita e 25 e protestës së opozitës para kryeministrisë ndërsa një ditë më parë Basha pati një tjetër drekë pune me disa nga Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në drekën e djeshme morën pjesë Ambasadori i Francës, Britanisë së Madhe, Greqisë dhe Danimarkës.
Në përfundim të drekës, Basha deklaroi se opozita është në bashkëbisedim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa sipas tij është diskutuar për krizën politike.
“Ne jemi në bashkëbisedim të vazhdueshëm me partnerët, aleatët tanë europianë dhe amerikanë. Ky ishte një takim, një drekë pune në kuadrin e bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të frytshëm të opozitës së bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë europianë. Diskutuam zhvillimet politike dhe rrugëdaljen nga kriza politike ku e ka futur vendin pamundësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri të bërë njësh me krimin dhe drogën”, shtoi më tej Basha.
Prononcim i plotë i Lulzim Bashës pas drekës me ambasadorë të vendeve të BE
Diskutuam për gjendjen politike në vend dhe bashkë me përfaqësuesit e tjerë të koalicionit opozitar, bëmë të qartë vendimin tonë për te mos u tërhequr nga beteja qytetare, nga beteja popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës që është; një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pyetje: A patët ndonjë kërkesë specifike nga ambasadorët? Ndonjë pretendim apo vërejtje të tyre?
Basha:
Për sa kohë më njihni, edhe si Ministër i Jashtëm, nuk kam folur në emër të ambasadorëve, e s’mund të flas sot në emër të ambasadorëve. Qëllimi ishte një bashkëbisedim dhe ishte shumë i frytshëm, dashamirës, mbështetës për qëllimet europiane dhe europianizuese të qëndresës, të lëvizjes tonë popullore. Unë dhe besoj edhe kryetarët e partive të tjera të koalicionit, ndahemi edhe nga kjo drekë me shumë optimizëm dhe akoma me më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund kauzës tonë.
Pyetje: Prape nuk e patët zonjën Vlahutin sot?
Basha:
Unë ju uroj ju dhe të gjithë gazetarëve, të gjithë punonjësve të medias, që edhe sot në këtë ditë feste jeni në krye të detyrës; Gëzuar Ditën e Verës!












