Në një dokument sekret të policisë, që ka të bëjë me aksionin e gjetjes së farave të hashashit në të gjithë vendin, zbulohen disa arsye për kultivimin masiv të kanabisit vitin e kaluar.
Sipas analizës së brendshme të policisë, pranohet se zyrtarët e lartë të policisë dhe drejtues komisariatesh vunë në krizë besimin e policëve të thjeshtë në punën e tyre, me mosreagimin që patën ndaj situatës, raporton Lapsi.al. Mungesa e besimit të ndërsjellët vartës-epror ndikoi në keqmenaxhimin e situatës, që rezultoi me mbjelljen masive të kanabisit në vend.
Një arsye tjetër, sipas raportit të policisë është se grupet kriminale që kultivonin kanabis arritën t’i bindin banorët e fshatrave se kishin mbështetjen e autoriteteve dhe se “kjo veprimtari ishte e ligjshme”. Në këtë analizë sqarohet se banorët e fshatrave nuk morën pjesë vetë në kultivimin e kanabisit, por vetëm dhanë në përdorim tokën, duke u gënjyer nga grupe kriminale.
Raporti konfirmon gjithashtu se grupe kriminale nga Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, madje edhe nga Serbia gjetën terren në Shqipëri për biznesin e drogës, duke financuar në masë kultivimin e kanabisit.
Dhe arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishme është mungesa e logjistikës në komisariatet e qyteteve të ndryshme, një fakt që ka penguar punë gjurmuese të elementëve kriminalë.











